Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që Kina të marrë një rol më aktiv në zgjidhjen e krizës në Ngushticën e Hormuzit dhe në frenimin e veprimeve të Iranit në Gjirin Persik.
Gjatë një interviste për Fox News, Rubio u shpreh se Uashingtoni shpreson ta bindë Pekinin të ushtrojë më shumë ndikim ndaj Teheranit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Shpresojmë t’i bindim ata të luajnë një rol më aktiv në ndalimin e asaj që Irani po bën dhe po përpiqet të bëjë në Gjirin Persik”, deklaroi Rubio gjatë udhëtimit drejt Pekin, ku po shoqëron presidentin Donald Trump në vizitën zyrtare.
Rubio theksoi se Kina ka interesa të mëdha ekonomike në rajon, pasi shumë anije kineze janë bllokuar në Gjirin Persik dhe ekonomia eksportuese kineze po ndjen pasojat e krizës.
Megjithatë, deklaratat e tij duket se bien ndesh me qëndrimin e Trump, i cili ka deklaruar se SHBA-ja “nuk ka nevojë për ndihmën e Kinës” për t’i dhënë fund krizës me Iranin.
Situata në Ngushticën e Hormuzit mbetet shumë e tensionuar që prej nisjes së konfliktit SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt. Zona është paralizuar pjesërisht, ndërsa ushtria amerikane ka vendosur bllokadë ndaj porteve iraniane.
Kina konsiderohet një nga partnerët më të rëndësishëm ekonomikë dhe strategjikë të Iranit, si dhe importuesi më i madh i naftës bruto iraniane, çka i jep Pekinit ndikim të konsiderueshëm në krizën aktuale.









