Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe kreut të opozitës Sali Berisha gjatë një takimi me mbështetës dhe qytetarë të zhvilluar në ambientet e Akademisë së Arteve në Tiranë.
Në fjalimin e tij, Salianji deklaroi se Shqipëria po përballet me një regjim të centralizuar dhe me një krizë të thellë politike e shoqërore, duke akuzuar qeverinë për korrupsion, keqqeverisje dhe braktisje të qytetarëve.
Ai tha se vendi po zbrazet nga emigracioni masiv dhe se kjo, sipas tij, është tragjedia më e madhe që po përjeton shoqëria shqiptare.
“Vendimet merren nga një grusht njerëzish për interesat e një grushti tjetër njerëzish. Shqipëria po zbrazet çdo ditë dhe kjo është një tragjedi kombëtare që na bën përgjegjës edhe ne si opozitë”, u shpreh Salianji.
Ish-deputeti demokrat kritikoi ashpër sistemin shëndetësor dhe prioritetet e qeverisë, duke deklaruar se qytetarët përballen me mungesë ilaçesh për sëmundje të rënda, ndërsa fondet publike, sipas tij, po përdoren në mënyrë të gabuar.
“Spitalet nuk kanë ilaçe për të sëmurët me kancer, ndërsa qeveria gjen para dhe subvencione për politika që nuk janë prioritet për qytetarët”, deklaroi ai.
Në të njëjtën kohë, Salianji foli edhe për krizën brenda opozitës, duke lënë të kuptohet se problemet nuk lidhen vetëm me qeverinë, por edhe me mënyrën si funksionon vetë opozita shqiptare.
Ai përdori një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj dy figurave kryesore të politikës shqiptare, duke i cilësuar Ramën dhe Berishën si “autokratë”, njëri në pushtet dhe tjetri në opozitë.
Sipas Salianjit, lëvizja e re që ai po promovon synon rikthimin e Partia Demokratike në një alternativë fituese dhe mbylljen e “ciklit politik” të qeverisjes së Ramës.
Takimi në Tiranë mblodhi mbështetës, të rinj dhe figura të njohura të demokratëve, ndërsa Salianji e paraqiti këtë nismë si një përpjekje për ringritjen e opozitës dhe krijimin e një fryme të re politike në vend.









