Atlético Madrid ka ironizuar publikisht FC Barcelona pas zërave të vazhdueshëm për një transferim të mundshëm të Julián Álvarez te klubi katalanas, duke ndezur rrjetet sociale me një seri postimesh tallëse që janë bërë virale.
Klubi madrilen reagoi me humor ndaj raportimeve për oferta të pretenduara të Barcelonës për sulmuesin argjentinas, duke publikuar “oferta” absurde për yjet e skuadrës katalanase.

Fillimisht, Atletiko publikoi një postim për Lamine Yamal, ku pretendonte se kishte dërguar një ofertë zyrtare Barcelonës me “katër bileta për koncertin e Bad Bunny, një abonim vjetor në ABC dhe një qese me fara luledielli”.

Më pas erdhi radha e Pedri, për të cilin madrilenët “rritën ofertën”, duke shtuar gjashtë bileta të tjera koncerti.
Tallja vazhdoi edhe me Raphinha, ku Atletiko shkroi me ironi se braziliani do të vinte në huazim për një sezon, ndërsa në këmbim do të jepeshin “Tom Ford dhe Smith pa të drejtë blerjeje”.
Në fund, klubi madrilen publikoi edhe një mesazh thumbues ndaj mediave dhe spekulimeve të merkatos, duke deklaruar se gjithë kjo “histori” ishte krijuar brenda pesë minutash dhe se njerëzit nuk duhet të besojnë gjithçka që lexojnë, sidomos kur bëhet fjalë për Barcelonën.
Postimet e Atletikos kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku tifozët e futbollit e kanë konsideruar këtë si një nga “talljet e vitit” në merkaton europiane.









