Radhima në flakë – Zjarri masiv kërcënon hotelet turistike; ndërhyrje emergjente e zjarrfikësve

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e sotme zonën turistike të Radhimë, duke shkaktuar panik mes banorëve dhe turistëve, ndërsa flakët janë përhapur me shpejtësi në drejtim të strukturave hoteliere pranë vijës bregdetare.

Sipas informacioneve paraprake, vatra e zjarrit është shfaqur papritur dhe ende nuk dihen shkaqet që kanë çuar në përhapjen e flakëve në këtë zonë të frekuentuar gjatë sezonit turistik. Zjarri është përhapur në një terren të vështirë, duke u afruar rrezikshëm pranë disa hoteleve dhe lokaleve të zonës.

Në vendngjarje janë nisur me urgjencë dy mjete zjarrfikëse së bashku me forca të emergjencës civile, të cilat po punojnë për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen drejt objekteve akomoduese.

Raportohet se rreth katër hotele ndodhen në zonën e rrezikut, ndërsa për momentin situata mbetet e tensionuar për shkak të erës dhe përhapjes së shpejtë të zjarrit. Autoritetet po kryejnë evakuime preventive në disa pika, ndërsa shërbimet zjarrfikëse po përpiqen të krijojnë një perimetër sigurie.

Shkaku i zjarrit ende nuk është përcaktuar, ndërsa hetimet pritet të nisin sapo flakët të vendosen nën kontroll. Autoritetet lokale u bëjnë thirrje qytetarëve dhe pushuesve të shmangin zonën deri në normalizimin e situatës.