Alarm global për Hantavirusin – Zbulohet origjina e burimit fillestar të infeksionit

Autoritetet shëndetësore ndërkombëtare kanë identifikuar Argjentina si burimin e mundshëm të shpërthimit të Hantavirusit në bordin e kroçerës “MV Hondius”, rast që ka ngritur shqetësim global ditët e fundit.

Sipas hetimeve paraprake, vatra fillestare e infeksionit dyshohet të jetë në periferi të qytetit Ushuaia, një zonë e njohur për habitatin natyror të zogjve dhe brejtësve të egër, të cilët konsiderohen bartës të virusit vdekjeprurës.

Në qendër të hetimeve ndodhet një çift turistësh holandezë, të cilët kishin vizituar zonën gjatë një ekskursioni për vëzhgimin e shpendëve përpara se të hipnin në kroçerë. Ekspertët dyshojnë se pikërisht aty mund të ketë ndodhur kontakti me virusin.

Zona ku ata qëndruan tërheq çdo vit mijëra turistë për shkak të biodiversitetit të pasur, por specialistët paralajmërojnë se kushtet klimatike dhe mjedisore favorizojnë gjithashtu praninë e brejtësve që mbartin Hantavirusin.

Sipas ekspertëve, virusi transmetohet përmes kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve të infektuar. Në rastin e kroçerës “MV Hondius”, alarmi është rritur edhe më shumë pasi analizat kanë zbuluar variantin e njohur si “Andes”, i vetmi lloj i Hantavirusit që mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu.

Shkencëtarët besojnë se kjo karakteristikë ka ndikuar në përhapjen e rasteve mes pasagjerëve në bord, pasi çifti i dyshuar kishte kontakt me persona të tjerë gjatë udhëtimit.

Varianti “Andes” lidhet me një specie brejtësi të quajtur Oligoryzomys longicaudatus, i njohur ndryshe si “miu me bisht të gjatë”. Ky brejtës jeton kryesisht në jug të Argjentinës dhe në Kili dhe konsiderohet rezervuari natyror i virusit.

Ekspertët sqarojnë se kafshët e infektuara zakonisht nuk shfaqin simptoma, por mund ta përhapin virusin te brejtës të tjerë, sidomos gjatë sezonit të çiftëzimit. Ndryshimet klimatike, shpyllëzimi dhe zgjerimi i aktiviteteve njerëzore besohet se kanë ndikuar në shtimin e kontakteve mes njerëzve dhe këtyre specieve të egra.

Ngjarja ka rikthyer në vëmendje edhe debatin për largimin e Argjentinës nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, vendim që hyri në fuqi në muajin mars dhe që shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare.

Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bëri thirrje publike Argjentinës dhe SHBA-së të rishqyrtojnë largimin nga organizata, ndërsa autoritetet argjentinase deklaruan se do të vijojnë bashkëpunimin teknik me organizmat ndërkombëtarë të shëndetësisë.