Përshkallëzohet lufta në Ukrainë/ Lavro paralajmëron goditje sistematike: Rusia synon objektivat ushtarake në Kiev

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka deklaruar se forcat e armatosura ruse kanë nisur sulme sistematike ndaj objektivave ushtarake dhe qendrave të vendimmarrjes në kryeqytetin ukrainas Kiev.

Deklarata është bërë gjatë një komunikimi me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, ku pala ruse ka përcjellë qëndrimet e saj zyrtare mbi zhvillimet e fundit të konfliktit.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Lavrov ka theksuar se operacionet ushtarake po zhvillohen me urdhër të presidentit Vladimir Putin dhe siç u tha vijnë si përgjigje ndaj, sulmeve të vazhdueshme të Ukrainës ndaj objektivave civile dhe infrastrukturës ruse.

“Përgjigjja e Rusisë do të përfshijë sulme të vazhdueshme ndaj objekteve ushtarake dhe qendrave përkatëse të vendimmarrjes në Kiev”, thuhet në deklaratën zyrtare të Moskës.

Gjithashtu, Lavrov i ka kërkuar palës amerikane të marrë masa për evakuimin e stafit diplomatik dhe qytetarëve amerikanë nga territori i kryeqytetit ukrainas, duke sinjalizuar për përshkallëzim të mundshëm të situatës së sigurisë.

Në të njëjtin komunikim, diplomati rus ka kritikuar edhe vendet evropiane dhe autoritetet ukrainase, duke i akuzuar për minimin e marrëveshjeve të mëparshme diplomatike që, sipas Moskës, synonin zgjidhje afatgjatë të konfliktit.

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta, ndërsa lufta në Ukrainë vijon të mbetet një nga krizat më të rënda të sigurisë ndërkombëtare.