Përplasje e ashpër në PD/ Kokalari kundërpërgjigjet pas deklaratës së Kalasë – Akuza të rënda për lidhje me Ilir Metën

Debatet për drejtimin e Partisë Demokratike kanë sjellë një përplasje të fortë mes aktivistes Evi Kokalari dhe Adriana Kalaja.

Reagimi i Kokalarit erdhi pasi Kalaja, gjatë një interviste në RTSH, e cilësoi atë si “të çmendur”, duke e akuzuar për sulme të vazhdueshme ndaj Partisë Demokratike.

Në kundërpërgjigje, Kokalari ka reaguar ashpër në rrjetet sociale, duke hedhur akuza ndaj Kalasë për lidhje me ish-presidentin Ilir Meta. Sipas saj, Kalaja është përfshirë në strukturat e PD-së me ndërhyrje politike, duke përmendur edhe emrin e Shkëlzen Berishës.

Kokalari ka pretenduar gjithashtu se disa figura brenda PD-së kanë vepruar në funksion të interesave të Metës, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimet e brendshme në parti.

Kjo përplasje vjen në një moment delikat për Partinë Demokratike, e cila po kalon një proces zgjedhor për drejtimin e saj, i shoqëruar me debate dhe tensione mes figurave të ndryshme politike.