Drejtori i komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, ka sqaruar arsyet e skualifikimit të kandidates Mereme Sela nga gara për drejtimin e kësaj force politike.
Në një intervistë për News24, Lela u shpreh se, ndonëse Sela është anëtare e Partisë Demokratike, ajo nuk plotëson disa nga kriteret kryesore për kandidim, veçanërisht sa i përket profilit publik.
Sipas tij, një nga kushtet më të rëndësishme është të qenit një figurë e njohur në nivel kombëtar. “Ajo mund të jetë e njohur në komunitetin e saj profesional dhe lokal, por nuk ka një profil publik që i thotë diçka gjithë Shqipërisë”, u shpreh Lela.
Ai theksoi se një parti e madhe si Partia Demokratike ka nevojë për kandidatë me aktivitet të gjerë publik dhe ndikim në nivel kombëtar, duke shtuar se përfshirja e figurave të panjohura do të dëmtonte seriozitetin e garës.
Sipas Lelës, në një përballje të mundshme, figura të konsoliduara politike do të kishin avantazh të dukshëm, duke nënvizuar rëndësinë e eksperiencës dhe njohjes publike për drejtimin e një force të madhe politike.









