PD drejt përplasjes në gjykatë” – Salianji sfidon Berishën: Referendumi ishte farsë, do ta zgjidhim me votën e demokratëve

Ervin Salianji ka paralajmëruar zhvillimin e një takimi me demokratët e Tiranës këtë të premte, ndërsa la të hapur mundësinë që përplasja për drejtimin e Partisë Demokratike të përfundojë në gjykatë.

Në deklaratat e tij, Salianji pretendoi se kërkesa për zhvillimin e aktivitetit në Pallatin e Kongreseve është refuzuar nga institucionet shtetërore, për shkak të aktivitetit që pritet të zhvillojë Sali Berisha në fundjavë.

Sipas Salianjit, pamundësia për të siguruar sallën nuk do ta pengojë zhvillimin e takimit me mbështetësit e tij, duke paralajmëruar se aktiviteti mund të organizohet edhe në ambient të hapur.

Deputeti demokrat theksoi se synimi i tij është që çështjet e brendshme të PD-së të zgjidhen përmes procesit politik dhe votës së demokratëve, por shtoi se nëse institucionet e partisë nuk japin përgjigje ndaj kërkesave të tij zyrtare, atëherë do t’i drejtohet gjykatës.

“Unë nuk dua ta çoj Partinë Demokratike në proces gjyqësor. Dua që gjithçka të zgjidhet me votë dhe me proces politik, por nëse nuk respektohen procedurat dhe afatet, do të ndjek rrugën ligjore”, deklaroi ai.

Ervin Salianji përsëriti gjithashtu akuzat ndaj Sali Berisha për mënyrën si është zhvilluar referendumi në PD, duke e cilësuar atë si një proces të manipuluar dhe pa standarde demokratike.

Deklaratat e Salianjit pritet të thellojnë më tej tensionet brenda opozitës, në një moment kur debatet për drejtimin dhe organizimin e vijojnë të mbeten të forta.