Irani ka reaguar ashpër pas sulmeve të fundit amerikane, duke deklaruar se nuk do të lejojë që “asnjë akt agresioni” të mbetet pa përgjigje dhe duke akuzuar SHBA-të për shkelje flagrante të armëpushimit.
Përmes një deklarate zyrtare, Ministria e Jashtme iraniane tha se ushtria amerikane ka ndërmarrë sulme në provincën Hormozgan gjatë 48 orëve të fundit, në një kohë kur situata në rajon mbetet tepër e tensionuar dhe armëpushimi konsiderohet i brishtë.
Autoritetet iraniane e cilësuan ndërhyrjen amerikane si një akt provokues dhe paralajmëruan se Teherani do të reagojë ndaj çdo shkeljeje që cenon sovranitetin e vendit.
“Republika Islamike e Iranit nuk do të lërë asnjë akt agresioni pa përgjigje dhe nuk do të hezitojë të mbrojë integritetin territorial dhe sovranitetin e saj”, thuhet në deklaratën e ministrisë.
Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së konfirmoi se forcat amerikane kanë kryer sulme të reja ndaj objektivave iraniane, duke i cilësuar ato si “veprime mbrojtëse” për sigurinë e trupave amerikane përballë kërcënimeve që, sipas Uashingtonit, vinin nga forcat iraniane në rajon.
Përplasjet e fundit kanë shtuar frikën për një përshkallëzim të ri të konfliktit në Lindjen e Mesme, në një moment kur përpjekjet diplomatike për ruajtjen e armëpushimit dhe arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë mes palëve mbeten ende të paqëndrueshme.
Tensionet mes Iranit dhe SHBA janë rritur ndjeshëm javët e fundit, sidomos pas përplasjes për kontrollin dhe sigurinë në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më strategjike të transportit energjetik në botë.









