“Paska rrëmujë në podium!” – Rama ironizon organizatorët në Ditën e Europës para ambasadorit të BE-së

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar organizimin e ceremonisë së zhvilluar në kuadër të Ditës së Europës, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Bashkimi Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Gjatë fjalës së tij në aktivitet, Rama u ndal te mënyra se si ishte organizuar podiumi, duke bërë një koment me tone humoristike që shkaktoi reagime dhe buzëqeshje mes të pranishmëve.

Teksa iu drejtua ambasadorit europian, kreu i qeverisë e ftoi të ulej, ndërsa tha se fillimisht kishte menduar se ceremonia ishte organizuar si një performancë muzikore.

“Mendova se do të këndonim, Silvio, me këtë organizim, por jo! Ndaj të ftoj të ulesh. Mesa duket qenka ndonjë lëmsh i organizatorëve, meqë kanë vendosur dy njerëz në podiume”, u shpreh Rama gjatë aktivitetit.

Deklarata e kryeministrit u interpretua si një kritikë e lehtë ndaj organizimit të ceremonisë, por e përcjellë me humor dhe ironi, stil që Rama e përdor shpesh në daljet publike.

Aktiviteti u zhvillua në kuadër të Ditës së Europës, që shënohet çdo 9 maj dhe simbolizon unitetin dhe bashkëpunimin mes vendeve europiane. Në ceremoni morën pjesë diplomatë, përfaqësues institucionesh dhe zyrtarë të lartë vendas e ndërkombëtarë.