“Më thoni një akuzë!” – Meta nga qelia: Jam i pafajshëm, nuk mbaj përgjegjësi për të tjerët

Ish-presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka sfiduar publikisht akuzat ndaj tij, gjatë një interviste të dhënë nga paraburgimi për emisionin “Off the Record” në A2 CNN.

Meta ka theksuar se ndaj tij nuk ekziston asnjë fakt konkret penal dhe ka kërkuar që akuzat të paraqiten qartë.

“Unë jam i pafajshëm, jo thjesht se e deklaroj. Më thoni një faj timin, një episod, një akuzë dhe t’u jap përgjigje”, është shprehur ai.

I pyetur mbi përgjegjësinë për bashkëpunëtorët e tij, Meta ka deklaruar se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk mund të shtrihet mbi persona të tjerë.

“Nuk ndaj asnjë mendim lidhur me përgjegjësinë ligjore apo penale për askënd tjetër, as për fëmijët, as për prindërit, vetëm për Ilir Metën. Përgjegjësia penale është individuale”, është shprehur ai.

Deklaratat e ish-presidentit vijnë në një kohë kur ai ndodhet në qeli në kuadër të hetimeve të hapura ndaj tij, ndërsa procesi gjyqësor vijon në instancat përkatëse.