Londra hap derën për naftën ruse? – Starmer lehtëson sanksionet mes krizës së energjisë dhe shpërthimit të kritikave

Qeveria britanike ka vendosur të lehtësojë përkohësisht disa nga sanksionet ndaj importeve të karburanteve me origjinë ruse, duke argumentuar se tensionet e fundit në Lindjen e Mesme dhe rritja e fortë e çmimeve të energjisë kanë krijuar nevojën për masa emergjente në mbrojtje të tregut dhe konsumatorëve.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, mbrojti publikisht vendimin, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për heqje të sanksioneve ndaj Rusisë, por për “licenca të kufizuara dhe afatshkurtra” që synojnë stabilizimin e furnizimit me energji dhe shmangien e goditjeve të mëtejshme ekonomike.

Sipas Ministrisë britanike të Biznesit dhe Tregtisë, një nga masat e miratuara lejon importin në Britani të naftës bruto ruse të përpunuar në vende të treta, si India. Paralelisht, është dhënë edhe një licencë e përkohshme që zbut kufizimet për importin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) me origjinë nga disa impiante ruse.

Vendimi ka shkaktuar reagime të forta politike në Londër. Opozita konservatore akuzoi qeverinë laburiste se po zbut qëndrimin ndaj Moskës në një moment kur Perëndimi vijon përballjen me Rusinë për luftën në Ukrainë.

Liderja e opozitës konservatore, Kemi Badenoch, deklaroi se Britania po rrezikon të financojë indirekt luftën e Kremlinit duke blerë “naftë të ndotur ruse”, ndërsa paralajmëroi se çdo të ardhur shtesë mund të përdoret nga Moska për të mbështetur operacionet ushtarake në Ukrainë.

Nga ana tjetër, Starmer insistoi se Britania mbetet e angazhuar në linjën e ashpër të sanksioneve kundër Rusisë dhe se qeveria do të vijojë bashkëpunimin me aleatët perëndimorë për paketa të reja ndëshkuese ndaj Kremlinit.

Britania vendosi sanksione të gjera ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, duke goditur eksportet energjetike ruse dhe duke futur në listën e zezë mbi 3 mijë individë dhe kompani të lidhura me Kremlinin.