Kandidati i presidentit amerikan Donald Trump për postin e ambasadorit në Shqipëri, Eric Wendt, raportoi para Senatit amerikan, ku prezantoi prioritetet e tij diplomatike nëse konfirmohet në detyrë.
Gjatë dëshmisë së tij, Wendt u shpreh i nderuar për nominimin dhe vlerësoi bashkëpunimin me ushtrinë shqiptare në kuadër të NATO dhe misioneve në Afganistan, duke deklaruar se “forcat shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të Skënderbeut”.
Ai theksoi se prioritetet kryesore të mandatit të tij do të jenë lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe forcimi i partneritetit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Wendt shtoi se synon të nxisë edhe bashkëpunimin ekonomik dhe investimet amerikane në Shqipëri, ndërsa veçoi si çështje të rëndësishme sigurinë kibernetike, mbrojtjen e qytetarëve amerikanë dhe rritjen e kapaciteteve të aleancës së NATO-s në rajon.
Fjala e plotë:
Faleminderit zoti kryetar dhe anëtarë të nderuar të komisionit. Kam pasur privilegjin t’i shërbej Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ushtarak aktiv. Kam kaluar katër vite e gjysmë në këmbësori dhe 30 vite si pjesë e forcave speciale “Green Berets”. Gjatë kësaj periudhe kam shërbyer për dy vite pranë Departamentit Amerikan të Shtetit, ndërsa drejtoja një koalicion me tetë vende si Koordinator i Sigurisë i SHBA-ve për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez. Në atë detyrë kam operuar çdo ditë si pjesë e Ambasadës Amerikane në Jerusalem, duke raportuar drejtpërdrejt te Sekretari Amerikan i Shtetit.
Pas daljes në pension nga shërbimi ushtarak, kam pasur mundësinë të jap mësim për komandim dhe lidership në universitetin ku jam diplomuar, në Naval Postgraduate School në Monterey të Kalifornisë.
Sot, bashkëshortja ime ndodhet në Okinawa të Japonisë me vajzën tonë, dhëndrin tonë që shërben si kapiten në Forcat Ajrore Amerikane dhe mbesën tonë, për t’u kujdesur për një tjetër mbesë që sapo ka lindur. Djali ynë, toger i parë në Ushtrinë Amerikane dhe pjesë e Divizionit të 82-të Airborne, ndodhet sot këtu pas meje. Ai dhe bashkëshortja e tij i shërbejnë vendit në Fort Bragg, Karolina e Veriut.
Ne jemi një familje që e duam Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jemi mirënjohës për mundësinë për t’i shërbyer këtij vendi të jashtëzakonshëm.
Si komandant i forcave speciale të NATO-s, trupat speciale shqiptare ishin pjesë e komandës sime dhe kam punuar me to në terren në Shqipëri. Në Afganistan kam shërbyer si zëvendëskomandant i një komande rajonale ku përfshiheshin edhe trupat shqiptare. Kam konstatuar se forcat speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftarak të heroit shqiptar Skënderbeu. Ndërsa vetë populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës.
Nëse konfirmohem në këtë detyrë, prioritetet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-ve. Në ambasadë do të ndjekim katër linja kryesore veprimi për të zhvilluar më tej planin e Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
Linja e parë do të fokusohet te mënyrat për ta bërë Amerikën më të sigurt. Mbështetja ndaj Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës të lidhur me kartelet latino-amerikane do të ndihmojë që si Amerika, ashtu edhe Shqipëria të jenë më të sigurta.
Së dyti, do të punojmë për ta bërë Amerikën më të mbrojtur. Këto hapa do të ndihmojnë edhe sigurinë e Shqipërisë. Do të mbështes përparimin e Shqipërisë drejt angazhimeve të Samitit të NATO-s në Hagë në vitin 2025, për rritjen graduale të shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035. Gjithashtu do të mbështesim forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike dhe nisma të përbashkëta në fusha të ndryshme ushtarake.
Së treti, fokusi ynë do të jetë prosperiteti ekonomik. Këto përpjekje do të ndihmojnë njëkohësisht edhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Ndërsa sektorët e inteligjencës artificiale, energjisë, infrastrukturës, minierave dhe sektorë të tjerë zhvillohen në Shqipëri, bizneset dhe investitorët amerikanë duhet të kenë një klimë të drejtë ligjore dhe kontraktuale.
Së katërti, fokusi ynë do të jetë vetë ambasada dhe njerëzit që punojnë aty. Një nga elementët kryesorë që unë e quaj ‘faktori njerëzor’ do të synojë të përdorë mënyra standarde dhe kreative për t’u kujdesur për pjesën më të rëndësishme të ambasadës: njerëzit e saj, si në aspektin profesional ashtu edhe atë personal.
Në përfundim, nëse konfirmohem, pres me padurim të bashkëpunoj me anëtarët e këtij komisioni dhe me partnerët tanë në Shqipëri për të arritur këto objektiva të rëndësishme. Jam i gatshëm t’u përgjigjem pyetjeve tuaja.









