Dy cisterna kineze largohen nga Hormuzi të pacënuara – Bie çmimi i naftës

Dy cisterna kineze që transportonin naftë kanë dalë nga Ngushtica e Hormuzit, duke rritur shpresat në tregjet ndërkombëtare për një zbutje të tensioneve dhe një marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës mes SHBA-së dhe Iranit.

Zhvillimi vjen pasi presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sërish se konflikti mund të marrë fund “shumë shpejt”, ndërsa nga Uashingtoni dhe vendet e Gjirit janë dhënë sinjale pozitive për negociata.

Pas këtyre zhvillimeve, çmimi i naftës Brent pësoi rënie, duke zbritur në rreth 110 dollarë për fuçi, përpara se të rikuperonte një pjesë të humbjeve.

Analistët ndërkombëtarë theksojnë se tregjet po ndjekin me vëmendje çdo sinjal për një marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit, pasi hapja e plotë e Ngushticës së Hormuzit mbetet kyçe për furnizimin global me naftë dhe gaz.