Lot dhe zi në Durrës – Dy fëmijët e mitur përcillen për në banesën e fundit pas tragjedisë së rëndë

Pas homazheve prekëse, në Durrës janë përcjellë për në banesën e fundit dy fëmijët e moshës 10 dhe 12 vjeç, të cilët humbën jetën në aksidentin tragjik të një dite më parë.

Në një atmosferë të rënduar dhimbjeje dhe zie, familjarë, të afërm dhe banorë të zonës së ish-kënetës i dhanë lamtumirën e fundit dy të miturve, të prekur nga ngjarja që ka tronditur opinionin publik në mbarë vendin.

Në homazhe ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila shprehu ngushëllimet për familjet dhe theksoi nevojën për masa më të forta sigurie në hapësirat publike, duke kërkuar që të mos lejohet asnjë neglizhencë që rrezikon jetën e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në zonën e ish-kënetës në Durrës, ku një 57-vjeçar, duke drejtuar automjetin tip Mercedes-Benz ML me shpejtësi të lartë, përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç që ndodheshin në trotuar. Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa 8-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe po trajtohet në spital.

Drejtuesi i mjetit rezultoi në gjendje të dehur në momentin e aksidentit dhe, pas ngjarjes, u largua nga vendi i aksidentit, por më vonë u arrestua nga policia. Ai rezulton gjithashtu me precedentë të mëparshëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe i ishte pezulluar më herët leja e drejtimit.

Ndaj tij rëndojnë akuza të rënda penale, përfshirë “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen”, “Drejtim mjeti në gjendje të dehur” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të tragjedisë.