“Lojë politike e padrejtë” – Rama kritikon Albin Kurtin: “Lufton për pushtet, jo për shtet”

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, për vendimin për të shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Sipas Ramës, Kurti nuk është i fokusuar te qeverisja, por te ruajtja e pushtetit, duke e akuzuar se po i përdor qytetarët për interesa politike.

“Ai lufton për pushtet, jo për shtet dhe jo për qytetarët. I përdor ata për të mbajtur pushtetin,” është shprehur Rama, duke e cilësuar situatën si një “lojë politike të padrejtë”.

Ai shtoi se vendi po përballet me një bllokadë politike, duke akuzuar Kurtin për krijimin e krizave të panevojshme dhe për dështim në gjetjen e zgjidhjeve, pavarësisht mbështetjes së mëparshme elektorale.

Këto deklarata vijnë në një moment tensioni politik në Kosovë, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit të përcaktuar, ndërsa janë shpallur zgjedhje të reja për 7 qershor.