Kompany shpërthen ndaj arbitrimit: Ishte absurditet, PSG u favorizua

Trajneri i FC Bayern Munich, Vincent Kompany, ka reaguar me tone të ashpra pas eliminimit dramatik nga Paris Saint-Germain në gjysmëfinalen e UEFA Champions League.

Pas barazimit 1-1 në Mynih dhe humbjes së përgjithshme 6-5, tekniku belg shpërtheu kundër vendimeve të arbitrave, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe vendimtare për fatin e kualifikimit.

Kompany u ndal veçanërisht te dy episodet e diskutueshme të lojës me dorë, duke krahasuar penalltinë e akorduar kundër Bayernit në ndeshjen e parë me situatën e ngjashme në sfidën e kthimit, ku sipas tij arbitri portugez Joao Pinheiro nuk dha penallti për bavarezët.

“Topi shkoi direkt në dorë. Nuk ka rëndësi nëse prekja vjen nga një shok skuadre apo jo. Është absurditet. Rregullat duhet të jenë të njëjta për të gjithë”, deklaroi Kompany për DAZN.

Trajneri i Bayernit kritikoi gjithashtu faktin që mbrojtësi i PSG-së, Nuno Mendes, nuk u ndëshkua me karton të dytë të verdhë pas një tjetër prekjeje të topit me dorë.

Sipas Kompany, këto episode ndikuan drejtpërdrejt në rezultatin final të përballjes dhe i mohuan skuadrës së tij mundësinë për të luftuar deri në fund për finalen e Champions League.

Ai kujtoi edhe penalltinë e dhënë ndaj Alphonso Davies në ndeshjen e parë në Paris, duke theksuar se eliminimi erdhi vetëm me një gol diferencë.

Megjithatë, në fund të deklaratës së tij, Kompany uroi PSG-në për kualifikimin, por insistoi se arbitrat ndikuan ndjeshëm në rrjedhën e dy ndeshjeve gjysmëfinale.