Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se reforma në drejtësi dhe forcimi i institucioneve mbeten sfidat më të rëndësishme për Shqipërinë, ndërsa theksoi se integrimi në Bashkimin Europian është garancia kryesore për ta bërë të pakthyeshëm këtë proces.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se problemet e vendit nuk lidhen me individët, por me mënyrën se si funksionojnë sistemet shtetërore, duke shtuar se vetëm institucionet e bazuara te zbatimi i ligjit mund të shmangin korrupsionin dhe arbitraritetin.
Sipas kreut të qeverisë, shqiptarët nuk do të kishin arritur kurrë të ndërtonin një sistem të pavarur drejtësie pa mbështetjen dhe orientimin e Bashkimit Europian.
“Ne jemi të vendosur në këtë sfidë dhe nuk do të lejojmë kthim mbrapa. Ta bëjmë të pakthyeshme reformën në drejtësi. Garancia më e madhe për Shqipërinë janë dy shkronja: BE”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se procesi i negociatave me Brukselin përfaqëson një transferim të rëndësishëm dijesh dhe standardesh europiane drejt institucioneve shqiptare.
Rama garantoi se shumica qeverisëse do të vijojë të mbështesë pa lëkundje institucionet e reja të drejtësisë dhe zbatimin e reformës, ndërsa shtoi se qeveria synon të forcojë më tej standardet demokratike dhe shtetin ligjor në vend.









