“Jemi gati për paqen” – Merz “bën kthesë” – Gjermania dërgon në Hormuz anije luftarake për çminimin e kalimit

Ushtria e Gjermanisë ka nisur përgatitjet për një mision detar në një nga pikat më strategjike të botës, në Ngushticën e Hormuzit, ku planifikohet të angazhohet në operacione për zbulimin dhe çminimin e minave detare, në kuadër të një misioni të mundshëm ndërkombëtar.

Nga baza detare e Kiel në Detin Baltik, anija e specializuar “Fulda” është nisur drejt Mesdheut, ku do të integrohet fillimisht në një njësi të NATO-s për luftën kundër minave detare. Kjo lëvizje shihet si përgatitje për dislokim të mundshëm në Ngushticënë e Hormuzit, në rast të përshkallëzimit të situatës në rajon.

Sipas raportimeve, zona e ngushticës – një nga arteriet më të rëndësishme të transportit global të naftës – është përfshirë nga tensione të forta që lidhen me konfliktin mes Iranit dhe aktorëve ndërkombëtarë. Raportohet se që nga fundi i shkurtit, kjo rrugë detare është bërë objekt bllokimesh dhe rreziqesh për lundrimin, për shkak të minimeve dhe operacioneve ushtarake në zonë.

Në këtë kontekst, kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania është e gatshme të kontribuojë në stabilizimin e situatës dhe garantimin e paqes, por vetëm pas përfundimit të konfliktit të armatosur me Iranin.

Në një intervistë për emisionin e ARD “Caren Miosga”, Merz theksoi se pasojat e konfliktit janë të ndjeshme edhe për Europën dhe ekonominë globale, duke shtuar se Berlini është i gatshëm të ofrojë ndihmë në kuadër të stabilizimit ndërkombëtar.

Marina gjermane ka një eksperiencë të gjatë në operacionet e çminimit detar që nga periudha e pas Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht në Detin Baltik. Ajo disponon një flotë të specializuar me anije moderne, dronë nënujore dhe ekipe zhytësish të trajnuar për neutralizimin e eksplozivëve në det.

Ky kapacitet i rrallë teknik konsiderohet një aset i rëndësishëm brenda strukturave të NATO, duke e bërë Gjermaninë një nga vendet kyçe në operacionet për sigurinë detare dhe pastrimin e zonave me rrezik të lartë.