Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka shtyrë një sulm të planifikuar ndaj Iranit, i cili sipas tij ishte parashikuar të niste ditën e nesërme, duke e lidhur vendimin me zhvillimet e fundit diplomatike në rajon.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump tha se disa nga liderët e vendeve të Gjirit Persik i kanë kërkuar shtyrjen e operacionit, për shkak të negociatave që po zhvillohen dhe mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje.
Sipas tij, në këtë kërkesë janë përfshirë Emiri i Katarit, princi i kurorës së Arabisë Saudite dhe presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilët kanë vlerësuar se ekziston mundësi për një zgjidhje diplomatike.
Megjithatë, Trump theksoi se pavarësisht shtyrjes së sulmit, Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme për një ndërhyrje ushtarake në shkallë të gjerë nëse nuk arrihet një marrëveshje e pranueshme.
Presidenti amerikan përsëriti qëndrimin e tij se çdo marrëveshje e mundshme duhet të garantojë që Irani të mos pajiset me armë bërthamore, ndërsa theksoi se ushtria amerikane është në gatishmëri të plotë për çdo skenar të mundshëm.
Situata mes Uashingtonit dhe Teheranit mbetet e tensionuar, me ndërthurje të fortë mes diplomacisë dhe presionit ushtarak në rajonin e Lindjes së Mesme.










