Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Kuçovë, ku një efektiv i ri policie mbeti i plagosur pasi një 45-vjeçar arriti t’i marrë armën e shërbimit gjatë shoqërimit në komisariat.
Sipas të dhënave paraprake, shtetasi me inicialet Z. S., 45 vjeç, po transportohej nga Komisariati i Policisë Fier drejt Komisariatit të Policisë Kuçovë, pasi ishte ndaluar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë rrugës, situata ka dalë jashtë kontrollit. Burime bëjnë me dije se 45-vjeçari është konfliktuar fizikisht me efektivin e policisë A.T., vetëm 20 vjeç, dhe në kulmin e përplasjes ka arritur t’i marrë armën e shërbimit.
Më pas ai ka qëlluar ndaj punonjësit të policisë, duke e plagosur. Ngjarja ka shkaktuar alarm dhe tension të madh mes uniformave blu, ndërsa patrulla e policisë ka ndërhyrë menjëherë duke neutralizuar autorin dhe duke i rimarrë armën.
Efektivi i plagosur është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore. Fatmirësisht, sipas burimeve zyrtare, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik ndaj 45-vjeçarit, policia ka zbuluar të fshehur në trup një sasi të dyshuar lënde narkotike, që dyshohet të jetë kokainë. Ky fakt ka shtuar dyshimet e hetuesve mbi gjendjen dhe rrezikshmërinë e autorit në momentin e incidentit.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa pritet të verifikohet edhe mënyra sesi i shoqëruari arriti të marrë armën e efektivit gjatë transportimit.
Kuçovë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po kryenin shoqërimin e shtetasit Z. S., 45 vjeç, banues në Kuçovë, nga Komisariati i Policisë Fier drejt ambienteve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, i dyshuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjatë shoqërimit, shtetasi Z. S, është konfliktuar me punonjësin e Policisë shtetasin A.T., 20 vjeç, dhe gjatë konfliktit i ka marrë armën e shërbimit punonjësit të Policisë dhe e ka plagosur.
Patrulla e Policisë e ka neutralizuar dhe i ka marrë armën shtetasit Z. S., ndërsa punonjësi i Policisë është transportuar për ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për të verifikuar zbatimin e procedurave standarde të shoqërimit të personave nga ana e Patrullës së Policisë.









