Goditet rrjeti “RYDOX”/ Hetim i përbashkët me FBI – SPAK kërkon 6 vite burg për Shpend Sokoli

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë pretencën për shtetasin kosovar Shpend Sokoli, i akuzuar për mashtrim kompjuterik në kuadër të një hetimi të përbashkët me FBI. Për të riun është kërkuar dënimi me 6 vite burg.

Sipas hetimeve, Sokoli dyshohet të jetë i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të platformës online “RYDOX”, një treg i errët që operonte që prej vitit 2016 dhe që lidhej me shitjen e të dhënave të vjedhura, lista spam dhe mjete për shpërndarjen e tyre.

Hetimi ndërkombëtar ka zbuluar se “RYDOX” kishte lidhje me forumin kriminal RaidForums, ku publikoheshin dhe tregtoheshin të dhëna të ndjeshme si dhe udhëzime për përdorimin e tyre. Platforma numëronte rreth 18 mijë përdorues dhe realizonte transaksione virtuale mes anëtarëve.

Në kuadër të këtij operacioni, dy persona të tjerë, Ardit dhe Jetmir Kutleshi, janë ekstraduar më herët drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa një tjetër i dyshuar është proceduar në Shqipëri nëpërmjet gjykimit të shkurtuar.

Nga ana e tij, Sokoli ka mohuar akuzat, duke deklaruar se nuk ka pasur akses në platformën “RYDOX” dhe se aktiviteti i tij ka qenë i kufizuar vetëm në programim sipas kërkesave të palëve të treta. Ai gjithashtu ka hedhur poshtë çdo lidhje me personat e tjerë të përfshirë në hetim.