Gjykata e Lartë pritet të vendosë për praktikën e “arrestit në burg” – Ja kur mund të shprehet me vendim

Gjykata e Lartë pritet të shprehet ditën e hënë lidhur me njëhsimin e praktikës gjyqësore për kushtet dhe kriteret e aplikimit të masës së sigurisë “arrest në burg”.

Sipas burimeve, në mesditë, Kolegjet e Bashkuara do të japin vendimin mbi rekursin e paraqitur nga Prokuroria e Apelit Tiranë për çështjen e Bektesh Zenelit. Ky rast ka shërbyer si bazë për mbledhjen e gjyqtarëve, të cilët do të vendosin nëse do të ndryshohet apo do të mbetet në fuqi vendimi njëhsues i vitit 2011, që aktualisht përdoret si referencë nga organet gjyqësore.

Gjatë seancës publike pritet të shpallet edhe qëndrimi përfundimtar i Kolegjeve të Bashkuara. Megjithatë, ende nuk dihet se si janë ndarë votat mes 16 gjyqtarëve që kanë marrë pjesë në shqyrtimin e çështjes.

Për miratimin e çdo ndryshimi kërkohet shumica e votave, në kuadër të nismës së ndërmarrë nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.