EMRI/ Aksident fatal në Zvicër – Humb jetën një shofer shqiptar në Solothurn

Një aksident i rëndë rrugor në autostradën A1, pranë fshatit Gunzgen në kantonin Solothurn, ka përfunduar me një viktimë dhe disa të lënduar.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së premtes, pak para orës 05:00, kur policia kantonale mori njoftimin për përplasjen ku u përfshinë katër automjete. Si pasojë, gjashtë persona mbetën të plagosur dhe u transportuan drejt spitaleve me ambulanca dhe helikopterë shpëtimi.

Viktima është identifikuar si Fadil Haliti, 50 vjeç, banues në kantonin e Zyrihut, i cili humbi jetën në vendngjarje pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve të emergjencës.

Për shkak të aksidentit, autostrada u mbyll përkohësisht në të dy drejtimet, duke shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme të trafikut në zonë.

Autoritetet zvicerane bëjnë të ditur se shkaqet e aksidentit dhe rrethanat e plota mbeten ende të paqarta dhe janë në hetim. Zyra e prokurorit publik në Solothurn thekson se, për momentin, nuk mund të jepen detaje shtesë deri në përfundimin e hetimeve.

I ndjeri lë pas bashkëshorten, tre fëmijë dhe tre nipër e mbesa. Familjarët e përshkruajnë si një njeri të dashur dhe të përkushtuar. Ai u përcoll për në banesën e fundit në vendlindje, mes pjesëmarrjes së shumë të afërmve dhe miqve.