GJKKO “rrëzon” SPAK-un për Jonaid Myzyrin – Dosja e tenderit 2.2 mln euro rikthehet për hetim ish-kreun e KPP

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka refuzuar kërkesën e SPAK për pushimin e hetimeve ndaj ish-kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, Jonaid Myzyri, i akuzuar për shkelje të barazisë në tendera publikë.

SPAK kishte kërkuar mbylljen e procedimit për një nga episodet penale ku Myzyri dyshohet për favorizime në tendera, por GJKKO ka vendosur të mos e pranojë kërkesën dhe ka rikthyer dosjen për hetime të mëtejshme.

Sipas vendimit të gjykatës, Prokurorisë së Posaçme i janë lënë 45 ditë afat për të kryer një akt-ekspertim dhe për të plotësuar hetimet mbi çështjen.

Çështja lidhet me tenderin për mirëmbajtjen e segmentit rrugor Rrëshen–Shpal–Qafë Bene–Kthesa e Hadrojit dhe Shpal–Ura e Repsit, me gjatësi totale 58.7 kilometra dhe vlerë rreth 2.2 milionë euro.

Për këtë procedurë prokurimi, përveç Myzyrit, janë marrë të pandehur edhe 10 persona të tjerë, ndërsa shtatë prej tyre akuzohen për “shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Dosja ndaj ish-zyrtarit të lartë të prokurimeve konsiderohet një nga çështjet më të ndjeshme që lidhen me abuzimet në tenderat publikë dhe përdorimin e fondeve shtetërore.