Detaje të reja nga grabitja në Kamëz/ Si hajdutët me kallashnikov zbrazin argjendarinë për 1 minutë

Detaje të reja kanë dalë nga grabitja spektakolare e një argjendarie në Kamëz, ku dy persona të armatosur dhe të maskuar arritën të marrin bizhuteri me vlerë rreth 7 milionë lekë të vjetra brenda vetëm një minute.

Pamjet e kamerave të sigurisë, të siguruara nga policia, tregojnë se autorët kanë vepruar me shpejtësi dhe organizim të mirë. Të pajisur me maska, motor dhe armë automatike, ata hynë në argjendari dhe brenda pak sekondash morën bizhuteritë që ndodheshin në banak dhe në vitrina.

Njëri prej grabitësve, i armatosur me kallashnikov, qëndroi në hyrje të biznesit duke ruajtur zonën dhe motorin e parkuar jashtë, ndërsa bashkëpunëtori tjetër futi me shpejtësi në një çantë gjithçka që mundi të merrte nën kërcënimin e armës.

Pas grabitjes, autorët u larguan me motor në drejtim të Zallherrit. Kamerat e sigurisë kanë mundur t’i ndjekin lëvizjet deri pranë kësaj zone, ku në një moment dyshohet se ata kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar me motor, por më pas kanë vijuar arratisjen.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se deri tani grabitësit nuk janë identifikuar, pasi gjatë gjithë operacionit kanë qenë të maskuar dhe nuk kanë lënë gjurmë të dukshme.

Policia ka shoqëruar për verifikim disa persona me precedentë penalë në zonë, por pas marrjes në pyetje ata janë lënë të lirë për mungesë provash.

Ndërkohë, punonjësja e argjendarisë ka deklaruar se në momentin e grabitjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe nuk është përballur drejtpërdrejt me autorët.

Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e grabitësve, ndërsa policia po analizon pamjet filmike dhe lëvizjet e autorëve pas largimit nga vendngjarja.