Berisha blindon zgjedhjet në PD/ Zbulohet udhëzimi zyrtar për fushatën e garës pa garë

Edhe pse në garën për kreun e PD ndodhet si kandidat i vetëm, Sali Berisha ka vënë në lëvizje të gjithë strukturën partiake për zgjedhjet e 23 majit, duke organizuar një proces të plotë elektoral brenda selisë blu.

Një udhëzim i siguruar nga mediat zbulon se Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjen e kryetarit të ri, edhe pse nuk ka rivalë në garë. Sipas dokumentit, fushata ka nisur më 15 maj dhe do të mbyllet 24 orë përpara ditës së votimit.

Në fokus të organizimit është vetë Berisha, i cili, ndonëse kandidon i vetëm, ka vendosur të ketë përfaqësues të tij në çdo komision votimi dhe numërimi në të gjitha degët e partisë.

Udhëzimi përcakton se komisionet do të përbëhen nga tre anëtarë: një nënkryetar dege ose kryetari i degës dhe dy anëtarë të Kryesisë lokale të PD-së.

Dokumenti sqaron gjithashtu se të drejtën e votës do ta kenë të gjithë anëtarët që figurojnë në listat zyrtare të partisë, por edhe ata që nuk rezultojnë në lista, nëse paraqesin dokumentin origjinal të anëtarësisë në PD.

Procesi i votimit do të zhvillohet më 23 maj, nga ora 08:00 deri në 18:00, ndërsa numërimi i votave pritet të nisë brenda 30 minutash pas mbylljes së kutive të votimit. Rezultati përfundimtar duhet të shpallet brenda datës 24 maj.

Pavarësisht mungesës së garës reale, në Partinë Demokratike duket se procesi po trajtohet si një zgjedhje e plotë politike, me struktura, komisione dhe fushatë të organizuar në të gjithë vendin.