Anëtarët e Partisë Demokratike do t’u drejtohen sot kutive të votimit për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë për katër vitet e ardhshme, ndërsa në garë është vetëm Sali Berisha.
Procesi i votimit do të zhvillohet nga ora 08:00 deri në 18:00 në të gjitha degët e PD-së në vend. Ndryshe nga zgjedhjet e fundit brenda partisë, këtë herë numërimi i votave do të bëhet në degët lokale dhe jo në selinë qendrore.
Berisha e ka cilësuar procesin e 23 majit si një “referendum” për drejtimin e tij, ndërsa u ka bërë thirrje demokratëve të marrin pjesë masivisht në votim.
Ndërkohë, gjatë periudhës parazgjedhore, Komisioni i Zgjedhjeve në PD përjashtoi disa emra që kërkuan të kandidonin përballë Berishës, mes tyre Evi Kokalari dhe Ervin Salianji.









