BE zyrtarizon konferencën ndërqeveritare me Shqipërinë më 26 maj

Këshilli i Evropës ka zyrtarizuar mbajtjen e konferencës së tetë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian më 26 maj.

Takimi do të fokusohet te Grupkapitulli 1, që përfshin çështje kyçe si gjyqësori, drejtësia, siguria, funksionimi i institucioneve demokratike, reforma në administratën publike dhe kriteret ekonomike.

Më herët, Edi Rama kishte njoftuar zhvillimin e konferencës, duke e cilësuar atë si një hap të rëndësishëm drejt fazës përmbyllëse të negociatave për anëtarësim në BE.

Agjenda e takimit në Bruksel nga KiE:

Takimi i tetë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë do të mbahet më 26 maj 2026 në Bruksel.

Takimi do të shërbejë për të konfirmuar përmbushjen nga Shqipëria të standardeve të ndërmjetme dhe për të vendosur kriteret përmbyllëse për Grupkapitullin 1 “Themeloret”, i cili përfshin Kapitullin 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore, si dhe Kapitullin 24 – drejtësia, liria dhe siguria, funksionimin e institucioneve demokratike, reformën në administratën publike dhe kriteret ekonomike.

Ky grupkapitull përfshin gjithashtu Kapitullin 5 – prokurimi publik, Kapitullin 18 – statistikat dhe Kapitullin 32 – kontrolli financiar.