VENDIM/ Rrjepaj dhe Rrapaj lënë qelinë – GJKKO liron ish-zv.ministrin e Shëndetësisë dhe biznesmenin

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur lirimin nga qelia të ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.

Të dy të pandehurit ishin dënuar më herët nga GJKKO me nga 6 vite burg për veprat penale “vjedhje duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikim dokumentesh”. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i tyre ishte ulur në 4 vite burg për secilin.

Vendimi për lirimin e tyre lidhet me kohën e gjatë që ata kanë kaluar në paraburgim që prej arrestimit në vitin 2023, çka sipas llogaritjeve gjyqësore ka çuar në përmbushjen pothuajse të plotë të dënimit të dhënë.

Çështja ndaj Rrjepajt dhe Rrapajt lidhet me hetimet për procedurat e koncesionit të sterilizimit në shëndetësi, një kontratë me vlerë rreth 100 milionë euro. Në procesin gjyqësor ata u shpallën fajtorë për shkelje në procedura, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”.