Tension SHBA–Iran – Shtyhet vizita e JD Vance në Islamabad

Udhëtimi i planifikuar i zëvendëspresidentit amerikan J.D. Vance drejt Islamabadit është shtyrë, në një moment kur negociatat mes SHBA-së dhe Iranit ndodhen në një ngërç të thellë diplomatik.

Sipas një zyrtari amerikan, vendimi erdhi pasi Teherani nuk ka dhënë ende asnjë përgjigje ndaj qëndrimeve të paraqitura nga pala amerikane në kuadër të bisedimeve për uljen e tensioneve.

Vance ishte parashikuar të nisej të martën në mëngjes për në kryeqytetin pakistanez, ku pritej që të rifillonin negociatat të mërkurën, në ditën kur skadon edhe armëpushimi i brishtë mes dy palëve.

Megjithatë, burimet zyrtare bëjnë me dije se procesi diplomatik është aktualisht i bllokuar, pa sinjale konkrete nga Irani për vazhdimin e dialogut.

Edhe pse vizita nuk është anuluar përfundimisht, ajo mbetet e pezulluar dhe mund të realizohet vetëm në rast se pala iraniane jep një përgjigje të pranueshme për administratën amerikane.

Nga ana tjetër, Uashingtoni po kërkon gjithashtu garanci se ekipi negociator iranian ka mandat të plotë për të arritur një marrëveshje konkrete.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, u ka bërë thirrje të dyja palëve të zgjasin armëpushimin dhe të rikthehen në tryezën e bisedimeve, duke theksuar nevojën për t’i dhënë përparësi diplomacisë dhe dialogut.