Stuhi politike në Itali – Del në dritë lidhja e fshehtë e ministrit të brendshëm

Një deklaratë mbi jetën private të ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka ndezur debat të fortë politik në Itali dhe ka vënë në siklet qeverinë.

Gjatë një interviste, gazetarja dhe prezantuesja Claudia Conte pranoi publikisht se ka pasur një lidhje me Piantedosin, duke theksuar se nuk mund ta mohojë një raport të tillë. Rrëfimi i saj mori vëmendje të menjëhershme mediatike, sidomos pasi u rikujtua se ajo është emëruar së fundmi këshilltare në një komision parlamentar që merret me çështje sigurie dhe problematika urbane.

Partia në pushtet, Fratelli d’Italia, reagoi duke shprehur mbështetje për ministrin, ndërsa sqaroi se roli i këshilltarëve në komisionet parlamentare nuk është i paguar.

Megjithatë, opozita ka ngritur dyshime mbi mundësinë e konfliktit të interesit dhe ka kërkuar sqarime zyrtare në parlament, duke përmendur edhe përfitime të mundshme për gazetaren në institucione shtetërore.

Rasti ka rikthyer në vëmendje precedentë të ngjashëm në politikën italiane, përfshirë dorëheqjen e ish-ministrit të Kulturës pas një skandali të ngjashëm vitin e kaluar.

Ndërkohë, pritet që kryeministrja Meloni të adresojë çështjen në një seancë të ardhshme parlamentare, në një moment kur klima politike në vend mbetet e tensionuar.