KRIZE NE BUJQESI/ Domatja bëhet luks – rritje rekord e çmimeve në Shqipëri – Faktorët që po rëndojnë tregun

Rritja e fortë e çmimeve ka prekur edhe një nga produktet më bazë të tryezës shqiptare, domaten. Në tregjet e pakicës, çmimi i saj ka arritur nivele rekord, duke u shitur nga 350 deri në 440 lekë për kilogram për domaten e zakonshme, ndërsa varietetet “qershi” kapin deri në 700–800 lekë/kg.

Edhe pse kjo periudhë zakonisht shënon furnizim nga serat vendase, këtë vit tregu po përballet me mungesë oferte dhe rritje të ndjeshme të çmimeve. Krahasuar me fillimin e vitit, kur domatja vendase shitej rreth 170 lekë/kg dhe ajo e importit 270–300 lekë/kg, aktualisht diferencat janë zhdukur dhe çmimet janë rritur ndjeshëm.

Sipas të dhënave nga tregu dhe Portali i Fermerëve, çmimi me shumicë në fermë varion nga 170 deri në 270 lekë/kg, ndërsa në disa zona arrin edhe në 300 lekë/kg. Ky nivel përkthehet në çmime shumë më të larta për konsumatorët në tregjet e pakicës.

Ekspertët e lidhin këtë rritje me një kombinim faktorësh: uljen e sipërfaqeve të mbjella, dëmet e shkaktuara nga përmbytjet në muajt e parë të vitit, si dhe rritjen e kërkesës për eksport. Në zonat kryesore prodhuese si Fieri, Lushnja dhe Berati, serat janë dëmtuar disa herë nga përmbytjet, duke shkaktuar humbje të mëdha në prodhim.

Përveç kësaj, kushtet klimatike dhe lagështia e lartë kanë favorizuar përhapjen e sëmundjeve të bimëve, duke rritur kostot për fermerët. Shtrenjtimi i plehrave kimike, pesticideve dhe mungesa e fuqisë punëtore kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e çmimit final.

Një tjetër faktor është orientimi i prodhimit drejt eksportit, ku çmimet janë më të favorshme, duke lënë më pak sasi për tregun vendas. Ndërkohë, mungesa e subvencioneve dhe infrastruktura e dobët kulluese e bëjnë sektorin më të brishtë përballë krizave klimatike.

Sipas të dhënave të INSTAT, viti 2026 ka shënuar nivelin më të lartë të çmimeve të domates në katër vitet e fundit, duke reflektuar një situatë të pazakontë për konsumatorët shqiptarë.

Kriza e domates nuk është vetëm fenomen vendas, por po prek gjithë rajonin e Mesdheut, ku ndryshimet klimatike dhe dëmet në prodhim kanë krijuar presion të madh mbi çmimet në tregjet ndërkombëtare.