Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka deklaruar se Londra ka mbledhur më shumë se 40 shtete që mbështesin një nismë të përbashkët për të rivendosur lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit detar global.
Në një reagim në rrjetin social “X”, Starmer e cilësoi mbylljen e vazhdueshme të ngushticës si thellësisht të dëmshme, duke theksuar se bllokimi i rrugëve detare ndikon drejtpërdrejt në ekonominë botërore dhe rrit kostot e jetesës për qytetarët.
Sipas tij, garantimi i qarkullimit të lirë të anijeve tregtare është jetik për stabilitetin ekonomik global. “Mbretëria e Bashkuar ka mbledhur më shumë se 40 vende që ndajnë qëllimin tonë për të rikthyer lirinë e lundrimit”, u shpreh Starmer.
Ai njoftoi gjithashtu se gjatë kësaj jave, Britania dhe Franca do të bashkëorganizojnë një samit ndërkombëtar, ku do të diskutohet një plan i koordinuar dhe shumëkombësh për mbrojtjen e transportit detar, pas përfundimit të konfliktit në rajon.
Në të njëjtën linjë, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Parisi dhe Londra po punojnë për krijimin e një misioni të përbashkët ndërkombëtar, i cili do të ketë karakter strikt mbrojtës dhe do të synojë garantimin e sigurisë në Ngushticën e Hormuzit.









