Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka publikuar një sërë dokumentesh që sipas tij hedhin dritë mbi skandalin e kontratës mes kompanisë CEZ dhe DIA.
Meta pretendon se kompania DIA nuk ishte një strukturë e zakonshme biznesi, por një “krijesë amerikane”, e ndërtuar dhe funksionale që nga themelimi deri në mbylljen e saj. Sipas tij, kjo kompani lidhi marrëveshje me CEZ Shpërndarje për mbledhjen e detyrimeve të papaguara në Shqipëri, duke përdorur lidhje dhe garanci ndërkombëtare.
Në deklaratën e tij, Meta thekson se Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka bërë publike vetëm një pjesë të vogël të provave – 8 nga rreth 800 dokumente – që, sipas tij, dëshmojnë lidhjet e forta të DIA-s me kompani dhe individë amerikanë, përfshirë kompaninë mëmë “Debt Advisory International LLC”.
Akuza më e fortë e Metës lidhet me një marrëveshje të pretenduar mes Kastriot Ismailaj, Rebecca Gaskin dhe Edi Rama, për ndarjen e shumës prej 479 milionë eurosh, të cilat ai thotë se u takonin qytetarëve shqiptarë.
Ai gjithashtu nënvizon se një akt zyrtar i depozituar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit tregon se Rebecca Gaskin kishte rol më të madh në DIA sesa ishte bërë publikisht i ditur, duke e cilësuar atë si pronare “de jure” të kompanisë.
Në fund, Meta ngre shqetësimin për padinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për këtë çështje, duke pretenduar se ajo ka mbetur pa veprim në Prokurori, çka sipas tij përforcon dyshimet për një marrëveshje të fshehtë për ndarjen e parave.









