Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka vendosur të pushojë çështjen penale ndaj ish-drejtorit të Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyri, i cili ishte hetuar për dyshime mbi shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.
Sipas dosjes hetimore, Myzyri ishte marrë i pandehur në qershor të vitit 2025 në lidhje me një procedurë tenderuese me vlerë rreth 2.2 milionë euro, që kishte të bënte me mirëmbajtjen e disa segmenteve rrugore në zonën Rrëshen–Shpal–Qafë Bene–Hadroj dhe Shpal–Ura e Repsit, me një gjatësi totale prej 59 kilometrash.
Hetimet e SPAK kanë zgjatur rreth dy vite, ndërsa ish-zyrtari i lartë u shkarkua nga detyra disa muaj më parë. Megjithatë, me vendimin e fundit, prokuroria ka arritur në përfundimin se nuk provohet konsumimi i veprës penale, duke kërkuar pushimin e çështjes.
Myzyri, nga ana e tij, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme (GJKKO), duke kërkuar formalizimin e mbylljes së çështjes dhe heqjen e çdo akuze ndaj tij, pasi sipas tij procesi nuk ka provuar përgjegjësi penale.









