SHBA pranë marrëveshjes historike me Iranin – Trump: “Nafta dhe inflacioni do të bien ndjeshëm”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni është “shumë afër” arritjes së një marrëveshjeje të rëndësishme me Iranin, në një moment kritik kur armëpushimi dyjavor mes palëve po i afrohet përfundimit.

Gjatë një prononcimi për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Trump u shpreh optimist për ecurinë e negociatave, duke theksuar se marrëdhëniet me udhëheqjen e re iraniane janë përmirësuar ndjeshëm. Ai madje foli për një “ndryshim regjimi”, duke sugjeruar një qasje të re nga ana e Teheranit në raport me Perëndimin.

Sipas tij, një marrëveshje e mundshme do të kishte ndikim të menjëhershëm në ekonominë globale, duke ulur ndjeshëm çmimet e naftës dhe inflacionin. “Nëse kjo ndodh, çmimet bien shumë dhe shmanget rreziku i një përshkallëzimi bërthamor”, deklaroi ai.

Trump shtoi se Irani ka shprehur gatishmëri për të hequr dorë nga armët bërthamore dhe për të dorëzuar materialet e pasuruara, një zhvillim që, sipas tij, nuk ishte i mundur vetëm pak muaj më parë.

Megjithatë, presidenti amerikan nuk dha një përgjigje të prerë nëse armëpushimi aktual do të zgjatet, duke lënë të hapur mundësinë që zhvillimet të marrin një drejtim të ri në ditët në vijim.

Negociatat mes dy vendeve po zhvillohen me ndërmjetësimin e Pakistanit, ndërsa një raund i ri bisedimesh pritet të zhvillohet gjatë fundjavës.

Në të njëjtën kohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka paralajmëruar se forcat amerikane mbeten në gatishmëri të plotë për veprime ushtarake, në rast se Irani refuzon marrëveshjen, duke mbajtur të lartë tensionin në rajon.