Në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara po zhvillohet një raund i rëndësishëm bisedimesh të drejtpërdrejta mes Izraelit dhe Libanit, të cilat Uashingtoni i konsideron si një përpjekje me potencial historik për stabilizimin e Lindjes së Mesme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se këto negociata mund të hapin rrugën për një kornizë të re marrëveshjeje, e cila do të synojë uljen e tensioneve dhe krijimin e një paqeje më të qëndrueshme mes dy vendeve.
Rubio theksoi se, pavarësisht dekadave konflikte dhe mosmarrëveshjesh të thella, ekziston mundësia që palët të ecin përpara drejt një formule bashkëpunimi që do të garantojë siguri dhe stabilitet afatgjatë.
Në tryezën e bisedimeve janë të pranishëm përfaqësues të lartë diplomatikë nga SHBA, Izraeli dhe Libani, përfshirë ambasadorët dhe zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit amerikan, të cilët po ndërmjetësojnë procesin.
Sipas Rubio-s, nuk pritet një zgjidhje e menjëhershme, por nisja e një procesi të ri diplomatik që mund të prodhojë një marrëveshje të qëndrueshme dhe “diçka shumë pozitive dhe afatgjatë” për të dy popujt.









