Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë një pallat në zonën pranë Spitalit Universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, duke vënë në alarm shërbimet e emergjencës dhe autoritetet shtetërore.
Për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve dhe tymit të dendur, në operacion është angazhuar edhe ushtria, e cila ka ndërhyrë me helikopter për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit dhe për të mbështetur ekipet në terren.
Si pasojë e situatës, katër persona, mes tyre dy qytetarë dhe dy efektivë zjarrfikës, janë transportuar në urgjencën e QSUT-së me shenja asfiksie nga tymi.
Zjarri ka përfshirë fasadën e një ndërtese në zonën e njohur si “Farmacia 10”, përballë QSUT-së, ndërsa flakët dhe tymi i rëndë kanë mbuluar për disa minuta të gjithë zonën përreth.
Autoritetet po punojnë për shuarjen e plotë të zjarrit dhe zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes.









