Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani pritet të rikthehen në tryezën e negociatave në Islamabad për një raund të dytë bisedimesh, ndërsa armëpushimi mes palëve po i afrohet fundit.
Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga JD Vance, i shoqëruar nga të dërguarit e presidentit Donald Trump, përfshirë Steve Witkoff dhe Jared Kushner.
Nga pala iraniane, negociatat do të drejtohen nga Mohammad Bagher Ghalibaf.
Armëpushimi dyjavor, i ndërmjetësuar nga Pakistan, pritet të skadojë së shpejti, ndërsa raundi i parë i bisedimeve nuk prodhoi rezultate konkrete. Tensionet janë rritur më tej pas vendimit të SHBA-së për të vendosur bllokadë ushtarake ndaj porteve iraniane, një hap që Teherani e konsideron shkelje të marrëveshjes.
Nga Uashingtoni janë dhënë sinjale se një zgjatje e armëpushimit nuk është në plan nëse nuk arrihet progres real në negociata, ndërsa autoritetet iraniane kanë paralajmëruar masa të reja në rast përshkallëzimi.
Megjithatë, përpjekjet diplomatike vazhdojnë, me ndërmjetësimin e vendeve si Pakistani, Egjipti dhe Turqia, që synojnë të mbajnë të hapur dialogun në një moment vendimtar për stabilitetin rajonal.









