Fitore minimale, rezultat maksimal: filozofia e Alegrit që po mban Milanin në garë

AC Milan po ndërton sezonin e tij mbi një formulë të qartë: fitore të ngushta, por të qëndrueshme. Nën drejtimin e Massimiliano Allegri, kuqezinjtë kanë kthyer rezultatin 1-0 në një “markë fabrike”.

Në 33 javë kampionat, Milani ka siguruar 8 fitore me rezultatin minimal dhe plot 13 me vetëm një gol diferencë. Vetëm Antonio Conte me Napoli ka bërë më mirë në këtë aspekt.

Strategjia e Alegrit është e thjeshtë, por efektive: kontroll i ritmit të lojës, minimizim i rrezikut dhe shfrytëzim maksimal i rasteve. Skema 3-5-2 ka sjellë stabilitet dhe disiplinë, duke ulur ndjeshëm gabimet individuale që ishin më të pranishme në epokat e Stefano Pioli dhe Paulo Fonseca.

Fitoret ndaj ekipeve si Inter, Roma apo Lazio tregojnë se kjo filozofi funksionon edhe kundër kundërshtarëve të fortë.

Një rol kyç në këtë stabilitet ka pasur edhe rikthimi i Matteo Gabbia në qendër të mbrojtjes, me Milanin që nuk ka pësuar humbje kur ai ka qenë titullar që nga fillimi i sezonit.

Në ndeshjen e fundit ndaj Hellas Verona, heroi ishte Adrien Rabiot, i cili realizoi golin vendimtar, duke konfirmuar edhe një herë “ligjin” e fitoreve minimale.

Pavarësisht kritikave për stilin jo spektakolar, rezultatet flasin qartë: Milani i Alegrit po avancon me hapa të vegjël, por të sigurt drejt objektivit kryesor – një vend në UEFA Champions League.