Seanca në Administrative – Veliaj sfidon akuzat dhe prokurorin Dado – Pretendon konflikt interesi dhe kallëzim fiktiv

Në Gjykatën Administrative është zhvilluar seanca për padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ndaj prokurorit Ols Dado, për të cilin kërkohet shpallja e pavlefshme e emërimit.

Gjatë fjalës së tij para gjyqtarit Hazbi Balliu, Veliaj deklaroi se ndodhet në konflikt interesi me prokurorin, duke pretenduar se ai ka pasur ndërveprime të mëparshme me Bashkinë e Tiranës për çështje që lidhen me leje ndërtimi.

Një tjetër pikë e ngritur nga kryebashkiaku ishte edhe kallëzimi ndaj tij, për të cilin ai vuri në dyshim ekzistencën e personit që e ka bërë. Sipas Veliajt, emri “Nesti Angoni” nuk i korrespondon një individi real, çka, sipas tij, krijon paqartësi ligjore mbi procedimin.

Në vijim, ai u ndal edhe te ndikimi që kjo situatë ka pasur në funksionimin e Bashkisë së Tiranës, duke përmendur ndërprerjen e disa proceseve dhe projekteve. Veliaj mbrojti punën e tij në krye të bashkisë, duke theksuar investimet në infrastrukturë arsimore dhe hapësira publike.

Gjyqtari kërkoi që diskutimi të qëndrojë i fokusuar në objektin e padisë, ndërsa pala mbrojtëse theksoi se ekziston një vendim i Gjykata Kushtetuese për rikthimin e Veliajt në detyrë, i cili sipas tyre nuk po zbatohet për shkak të këtij procesi.

Seanca pritet të vijojë me shqyrtimin e mëtejshëm të pretendimeve dhe vendimmarrjen e gjykatës.