Seanca gjyqësore në GJKKO për dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është shoqëruar me debate të forta mes mbrojtjes dhe prokurorisë.
Avokati Plarent Ndreca ngriti shqetësimin për mungesën e disa fashikujve të dosjes, konkretisht nga numri 142 deri në 146, duke kërkuar kohë shtesë për shqyrtimin e plotë të materialeve. Sipas tij, kjo situatë mund të cenojë standardet e procesit të rregullt ligjor dhe të bjerë ndesh me konventat europiane.
Nga ana tjetër, prokurori Ols Dado e kundërshtoi kërkesën, duke e cilësuar të pajustifikuar dhe duke theksuar se mbrojtja ka pasur kohën e nevojshme sipas ligjit për t’u njohur me dosjen dhe për të komunikuar me klientin.
Gjatë seancës, u paraqitën edhe kërkesa të tjera nga avokatë të ndryshëm për ndarje të çështjes, gjykim të shkurtuar dhe shpallje të moskompetencës së gjykatës për disa prej të pandehurve. Prokuroria, në shumicën e rasteve, kërkoi rrëzimin e këtyre kërkesave, duke argumentuar se procedimi duhet të vijojë në këtë gjykatë si një çështje e lidhur.
Seanca pritet të vijojë me vendimmarrjet e trupit gjykues mbi kërkesat paraprake, ndërsa procesi mbetet në një fazë kyçe të shqyrtimit.









