Rrogozhina kualifikohet matematikisht mes katër më të mirave të superligës

KF Egnatia është skuadra e tretë që siguron matematikisht pjesëmarrjen në fazën “Final Four” të Kategoria Superiore, edhe pse kanë mbetur tre javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt.

Pavarësisht humbjes së fundit ndaj KF Vora, Egnatia mban një avantazh prej 9 pikësh ndaj Dinamo City dhe Partizani Tirana, duke e bërë të pamundur kapjen në renditje.

Me këtë diferencë dhe për shkak të përballjes direkte mes Dinamos dhe Partizanit në javën e fundit, Egnatia e ka blinduar një vend në katërshen finale.

Skuadra i bashkohet kështu KF Elbasani dhe KF Vllaznia Shkodër, të cilat kanë siguruar më herët pjesëmarrjen në fazën vendimtare, ku do të përcaktohet kampioni i sezonit 2025-2026.