Raphinha shpërthen pas eliminimit të Barcelonës: Na u mohua kualifikimi ndaj Atletico Madrid

Eliminimi i FC Barcelona nga Liga e Kampionëve ka shkaktuar reagime të forta, me sulmuesin Raphinha që ka kritikuar ashpër arbitrimin e ndeshjes ndaj Atletico Madrid.

Futbollisti brazilian, i cili mungoi në të dy sfidat për shkak dëmtimi, u shpreh i revoltuar për vendimet e gjyqtarit Clément Turpin, duke pretenduar se skuadra e tij u dëmtua nga arbitrat.

Sipas tij, loja u karakterizua nga tolerancë e tepruar ndaj ndërhyrjeve të lojtarëve të Atleticos, pasi nuk u ndëshkua asnjë prej tyre me karton të verdhë, pavarësisht faulleve të shumta.

Një nga momentet më të diskutueshme ishte anulimi i golit të Ferran Torres për pozicion jashtë loje pas ndërhyrjes së VAR-it, vendim që do ta kishte çuar ndeshjen në shtesë.

Tensionet kulmuan në fundin e takimit, kur Eric Garcia u ndëshkua me karton të kuq pas rishikimit me VAR, një vendim që u kontestua nga katalanasit, edhe pse konsiderohet i drejtë nga shumë analistë.

Pavarësisht fitores në ndeshjen e kthimit, Barcelona u eliminua nga gara, duke lënë pas zhgënjim të madh në kampin blaugrana.