“Partizani” hyn në fazën gjyqësore – Sali Berisha përballet me akuzat

Seanca e parë gjyqësore për dosjen e njohur si “Partizani” është zhvilluar këtë të enjte, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe personave të tjerë të përfshirë.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK paraqitën kundërshtimet e tyre lidhur me kërkesat e bëra nga të pandehurit për administrimin e provave. Sipas prokurorisë, nuk ekzistojnë kushte për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj Andia Pustinës.

Ndërkohë, pritet që ish-kryeministri të kërkojë heqjen e masës “detyrim paraqitje”, e cila aktualisht është në fuqi ndaj tij.

Dosja në fjalë, e përbërë nga 333 fashikuj, është depozituar në gjykatë në tetor të vitit 2024 nga Prokuroria e Posaçme. Në këtë çështje, Sali Berisha përballet me akuzën e korrupsionit pasiv.

Po ashtu, Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa persona të tjerë të përfshirë hetohen vetëm për pastrim parash.

Aktualisht, disa prej të pandehurve ndodhen nën masën “detyrim paraqitje”, ndërsa të tjerët po ndiqen në gjendje të lirë. Të gjithë kanë mohuar akuzat e ngritura ndaj tyre gjatë fazës së hetimeve.