PSG synon të “blindojë” Luis Enriquen me kontratë milionëshe

Paris Saint-Germain ka nisur zyrtarisht përpjekjet për të rinovuar kontratën e trajnerit Luis Enrique, e cila aktualisht skadon në vitin 2027.

Drejtuesit e klubit francez janë të bindur nga puna e teknikut spanjoll dhe transformimi i skuadrës në një pretendente serioze në arenën europiane. Për këtë arsye, PSG synon t’i ofrojë një marrëveshje të re afatgjatë, që do ta mbante në krye të ekipit deri në verën e vitit 2030.

Sipas raportimeve nga L’Équipe, klubi është gati t’i propozojë Enriques një pagë prej rreth 20 milionë euro në sezon, duke e bërë atë një nga trajnerët më të paguar në botë, madje potencialisht më të paguarin brenda klubit.

Pavarësisht interesimit të raportuar nga Manchester United, trajneri spanjoll duket i vendosur të vazhdojë projektin e tij në Paris dhe të ndërtojë një ekip edhe më konkurrues.

Ndërkohë, fokusi mbetet te objektivat e sezonit. PSG synon të mbrojë titullin në Champions League, ku në çerekfinale do të përballet me Liverpool, në një ndeshje që pritet me shumë interes javën e ardhshme.