Operacioni amerikan ndaj Iranit – Rubio: Objektivi ishte neutralizimi i kërcënimit bërthamor

NoSekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka dhënë detaje mbi arsyet dhe objektivat e operacionit të fundit amerikan ndaj Iran. Në një videomesazh të publikuar mbrëmjen e së mërkurës, Rubio theksoi se sulmi nuk kishte për qëllim vetëm frenimin e ambicieve bërthamore të Teheranit, por edhe neutralizimin e një mburoje të fuqishme raketash dhe dronësh që Irani po përpiqej të ndërtonte.

“Shtetet e Bashkuara nuk mund të lejonin që Irani të krijonte një sistem të pakapërcyeshëm mbrojtjeje për armët e tij bërthamore,” tha Rubio, duke shtuar se vendimi i presidentit Donald Trump për të urdhëruar operacionin ishte i domosdoshëm për të neutralizuar kërcënimin para se ai të bëhej i pakthyeshëm.

Rubio përshkroi se Irani po ndërtonte infrastrukturë bërthamore të fshehur në male dhe po përpiqej të pasurojë uraniumin, duke përdorur pajisje që mund të shfrytëzoheshin për armë. Sipas tij, kjo nuk ishte një program civil energjie, por një përpjekje për të kombinuar kapacitet bërthamor me një mburojë raketash dhe dronësh që do ta bënte të pakontrollueshëm.

“Ky ishte momenti i fundit për të goditur këtë program dhe për të siguruar që Irani nuk do të mund të fshehej pas raketave dhe dronëve, dhe sigurisht që kurrë të mos ketë armë bërthamore,” tha Rubio.

Objektivi kryesor i operacionit, sipas tij, ishte shkatërrimi i kapaciteteve të raketave dhe dronëve, për të parandaluar që Irani të krijonte një sistem të pakapërcyeshëm mbrojtës dhe për të neutralizuar kërcënimin bërthamor për SHBA dhe aleatët e saj.