Ngërçi i presidentit në Kosovë – Partitë përplasen duke rrezikuar shkuarjen në zgjedhje të reja…

Situata politike në Kosova mbetet e tensionuar, ndërsa përpjekjet për zgjedhjen e presidentit nuk kanë sjellë ende një marrëveshje mes partive kryesore.

Pas takimit mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të LDK-së Lumir Abdixhiku, palët kanë dhënë mesazhe të ndryshme. Kurti është shprehur optimist, duke theksuar se ekziston vullnet për të shmangur zgjedhjet dhe për të arritur një marrëveshje.

Në të kundërt, Abdixhiku ka përsëritur qëndrimin se një parti nuk mund të mbajë tri pozitat kryesore në shtet, duke lënë të hapur mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje në mungesë të kompromisit.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur kushte për një takim me Kurtin, duke kërkuar formalizim të ftesës dhe më shumë seriozitet institucional. Kryeministri ka kritikuar këtë qasje, duke theksuar se mungesa e emrave konkretë për postin e presidentit po e mban procesin të bllokuar.

Kritika kanë ardhur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ku lideri Ramush Haradinaj ka akuzuar Kurtin për mungesë prioriteti në këtë proces. Sipas tij, kjo situatë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.